Mirë se vini në Holandë

nga

Emily Perl Kingsley

Përkthyer nga Johannes Kalb

 

©1987 nga Emily Perl Kingsley. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ribotuar me lejën e autores.

 

 

Unë jam pyetur shpesh për të përshkruar përvojën e rritjes së një fëmije me aftësi të kufizuara – duke u përpjekur për të ndihmuar njerëzit të cilët nuk e kanë ndarë këtë eksperiencë unike, për t´a kuptuar atë, të imagjinojnë se si do të ndjehen me këtë përvojë. Është kështu......

 

Kur ju prisni të keni një fëmijë, është si të planifikosh një udhëtim të shkëlqyer për pushime - në Itali. Ju blini një tufë guidash turistike dhe bëni planet tuaja të mrekullueshme. Koliseum. Davidi i Mikelanxhelos. Gondolat në Venecia. Ju mund të mësoni disa fraza të dobishme në italisht. Kjo është e gjitha shumë emocionuese.

 

Pas muajsh padurimi, më në fund dita vjen. Ju paketoni çantat tuaja dhe niseni. Disa orë më vonë, aeroplani zbret në tokë. Shoqëruesja e fluturimit vjen dhe ju thotë: "Mirë se vini në Holandë."

 

"Holandë?!?" thua ti. "Çfarë do të thuash, Holandë?? Unë kam nënshkruar për në Itali! Unë supozohet të jem në Itali. Gjithë jetën time unë kam ëndërruar për të shkuar në Itali."

 

Por ka pasur një ndryshim në planin e fluturimit. Ata kanë zbarkuar në Holandë dhe ju duhet të qëndroni atje.

 

Gjëja e rëndësishme është se ata nuk ju kanë çuar në një vend të neveritshëm, të tmerrshëm, të pistë, plot murtajë, uri dhe sëmundje. Është vetëm një vend tjetër.

 

Kështu që ju duhet të dilni dhe të blini libra të rinj udhëzues. Dhe ju duhet të mësoni një gjuhë krejt të re. Dhe ju do të takoni një grup tërësisht të ri njerëzish që kurrë nuk do t´i kishit takuar.

 

Është vetëm një vend tjetër. Me një ritëm më të ngadaltë se sa në Itali, më pak i ndritshëm se sa Italia. Por, pasi ju keni qenë atje për një kohë dhe jeni ambientuar, ju shikoni përreth... dhe ju filloni të vëreni se Holanda ka mullinj me erë... dhe Holanda ka tulipanë. Holanda madje ka edhe Rembrandtë.

 

Por të gjithë që ju njihni janë të zënë duke shkuar dhe ardhur nga Italia... dhe ata të gjithë flasin me entuziazëm për atë kohë të mrekullueshme që kishin atje. Dhe në pjesën tjetër të jetës suaj, ju do të thoni: "Po, kjo është ajo ku unë duhet të shkoja. Kjo është ajo që kisha planifikuar."

 

Dhe dhimbja e kësaj nuk do të largohet kurrë, kurrë, kurrë ndonjëherë... sepse humbja e asaj ëndrre është një humbje shumë, shumë e madhe.

 

Por... në qoftë se ju e shpenzoni jetën tuaj në zi për faktin se ju nuk shkuat në Itali, ju kurrë nuk mund të jeni i lirë të gëzoni gjërat shumë të bukura, shumë të veçanta... rreth Holandës.


Emily Perl Kingsley (emri i vërtetë është Emmely Pearl) është një shkrimtare amerikane, e cila shkruan për serialin televiziv të suksesshëm "Sesame Street" nga viti 1970 dhe ka shkruar më shumë se 20 libra për fëmijë.

Djali i saj, Jason Kingsley, ka lindur me 1974 me Sindromën Down.

Mjeku obstetër i tha Emily Perl Kingsley dhe burrit të saj Charles që Jason nuk do të mësojë kurrë të ecë ose të flasë – dhe se ata duhet t´a institucionalizojnë atë dhe t´ju thonë familjes dhe miqve se ai kishte vdekur gjatë lindjes. Çifti Kingsley nuk i dëgjoi këshillat e mjekëve. Jason është tani një i rritur i cili jeton në apartamentin e tij, ai është bashkë-autor i librit "Count Us In: Growing Up With Down Syndrome” (= Na llogarisni edhe ne: të rritesh me sindromën Down") dhe është shfaqur disa herë në televizion.

Kur djali i saj Jason lindi me sindromin Down, Emily dhe burri i saj u bënë aktivistë në edukimin publik dhe zhvillimin e burimeve, për të ndihmuar Jasonin dhe fëmijë të tjerë me nevoja të veçanta, të përmbushin potencialin e tyre.

Jason doli të jetë aq ndryshe nga ajo që mjeku pati parashikuar, kështu që prindërit vendosën që të përpiqen të parandalojnë prindërit e tjerë që të besojnë mjekët të cilët nuk ishin të informuar mbi protokollet e reja për trajtimin e këtyre foshnjave. Kingsley dhe burri i saj donin të inkurajojnë prindërit e tjerë të investojnë një pjese nga koha dhe energjia e tyre dhe të shikojnë ndryshimin tek fëmija i tyre – kujdesin për veten, - dhe të mos shkojnë verbërisht sipas informatave të vjetëruara të mjekut.

"Mirë se vini në Holandë" u krijua në vitin 1987 pasi Kingsley i dha guxim një nëne të re me një fëmijë me sindromën Down . "Mirë se vini në Holandë" është përkthyer në shumë gjuhë dhe është botuar gjerësisht. Kjo histori ka inkurajuar shumë prindër të fëmijëve me sindromën Down ose aftësi të tjera të kufizuara. Një familje ka thënë se "Mirë se vini në Holandë" i ka ndihmuar ata të përshtaten me situatën, dhe se ata vendosën t´a quajnë vajzën e tyre Abigail Holande.